Situata në kaskadën e Drinit, rriten prurjet, por jo prodhimi i energjisë

Nga A2 CNN
2 Dhjetor 2021, 11:15 | Ekonomi
Situata në kaskadën e Drinit, rriten prurjet, por jo prodhimi i

Reshjet e ditëve të fundit të shiut dhe dëborës kanë përmirësuar situatën hidrike pranë ujëmbledhësve në hidrocentralet në veri të vendit.

Krahasuar me fundin e shtatorit, prurjet në kaskadën e Drinit ku operojnë tre hidrocentralet e Komanit, Fierzës dhe Vaut të Dejës, thuajse janë dhjetëfishuar.

Aktualisht, prurjet hidrike në këtë kaskadë janë në nivelin e 1220 metër kub në sekondë. Kjo ka lejuar që hidrocentralet e Komanit dhe Vaut të Dejës të punojnë me kapacitet të plotë duke prodhuar mbi 10 mijë megavat për orë energji, ndërsa hidrocentrali i Fierzës, aktualisht nuk po prodhon energji, me qëllim krijimin e rezervave hidrike.

Drejtues të Koorporatës Elektroenergjetike shprehen se situata hidrike monitorohet çdo ditë në krahasim me prurjet, në mënyrë që të koordinohet ritmi i punës së hidrocentraleve me nivelin e baseneve, për të siguruar nivelin maksimal të prodhimit të energjisë, duke ruajtur njëkohësisht edhe rezervat ujore.

Ndërsa në javët në vazhdim nuk parashikohen shtime të ndjeshme të prurjeve në kaskadën e Drinit dhe për këtë arsye, hidrocentrali i Fierzës nuk po prodhon energji, në mënyrë që të lejojë punën me kapacitet të plotë në dy hidrocentralet e tjerë, atë të Komanit dhe Vaut të Dejës.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos