
Mirilda Tili, gazetare ekonomie, në studion e “A2 Business”, në A2 CNN, shprehu skepticizmin e saj në lidhje me nismën “Open Balkan”.
Sipas saj, nga një nismë e tillë do të përfitojë vetëm Serbia.
“Nga nisma “Open Balkan” fiton Serbia, por nga ana tjetër do të jetë vetëm një paketë turistike. Jam shumë skeptike, përsa kohë që ende nuk ka transparencë në marrëveshjet e saj”, u shpreh Tili.
Në lidhje me marrëveshjet ekonomike mes dy qeverive, asaj të Shqipërisë dhe Kosovës, Tili theksoi se për momentin janë vetëm vullnet i mirë politik.
“Ekonomia shqiptare është e brishtë dhe të gjitha memorandumet apo marrëveshjet Kosovë-Shqipëri konsiderohen si vullnet që do të realizohet së shpejti. Dyshoj për këtë sepse biznesi njoftohet vetëm 5 ditë para se të diskutohet projektbuxheti në komisione. Vështirë të themi se kemi ekonomi të konkurrueshme, kemi investitorë të cilët ia kanë dalë mbanë dhe që kanë mundur të nxjerrin produkte në treg “Made in Albania”, deklaroi Tili. (A2 Televizion)