Borxhet ndaj shtetit, qeveria ngre Agjenci për Kthimin e Garancive

Nga A2 CNN
3 Dhjetor 2021, 17:01 | Ekonomi
Borxhet ndaj shtetit, qeveria ngre Agjenci për Kthimin e Garancive

Qeveria do të mbledhë me detyrim garancitë sovrane që u janë dhënë ndër vite ndërmarrjeve shtetërore apo biznesit privat. Përfituese të së cilave kanë qenë kryesisht shoqëri si OSHEE, KESH, OST, ndërmarrjet e ujësjellësve, bashkitë, etj.

Mbledhja e këtyre detyrime do të bëhet nga një agjenci e re, e quajtur Agjencia e Kthimit të Garancive dhe Kredive. Janë këto risitë që qeveria ka sjellë në dy projektligje të hedhur për konsultim publik: atë të krijimit të kësaj Agjencie dhe një ndryshimi që bën në ligjin e borxhit.

Përgjatë pandemisë, shteti shqiptar ofroi dy skema: një për të mundësuar shlyerjen e pagave të punonjësve, dhe një për likuiditet, në mënyrë që sipërmarrjet të mund të rinisnin aktivitetin. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, nga këto skema u përthithën fillimisht rreth 15 miliardë lekë, apo rreth 124 milionë euro hua në bankat tregtare. Por sot, me shlyerjen e një pjesë të kredive, detyrimi i mbetur që garanton qeveria është rreth 10.1 miliardë lekë, apo rreth 83 milionë euro.

Për këto borxhe, qeveria ka marrë përsipër të shlyejë këstet, edhe kur bizneset nuk kanë mundësi ta bëjnë një gjë të tillë.

Për të mos pasur humbje për shtetin, Agjencia që do të krijohet rishtazi do të mbikëqyrë gjendjen financiare të të gjitha kompanive që kanë marrë kredi nga këto skema. Agjencia do të kontrollojë nëse këto biznese po kryejnë pagesat e kësteve në bankë.

Detyrë e Agjencisë do të jetë edhe mbledhja dhe kthimi i garancisë shtetërore, duke shfrytëzuar asetet e kompanive debitore, që do të kalojnë nën administrimin e Ministrisë së Financave. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos