Situata me zjarret në Shkodër, “bilanci” i 24 orëve të fundit

Nga A2 CNN
6 Gusht 2021, 14:46 | Aktualitet

Gjatë 24 orëve të fundit në territorin e Qarkut të Shkodrës strukturat e emergjencave civile kanë reaguar për marrjen e masave për shuarjen e disa vatrave të zjarrit.

Gjate mesditës së djeshme, një vatër zjarri në Malin e Taraboshit është neutralizuar nga strukturat reaguese të Mbrojtjes së Zjarrit dhe Shpëtimit, si dhe monitoruar nga punonjësit e Zonave të Mbrojtura gjatë gjithë natës, ndërkohë që për shuarjen e kësaj vatre zjarri nga shërbimi zjarrfikës u angazhuan 10 efektiv me nga 3 mjete zjarrfikës dhe 5 punonjës.

Një tjetër vatër zjarri është shënuar në Parkun Kombëtar të Thethit ku sipërfaqja e përshkuar përllogaritet në një sipërfaqe 0,4 hektarë dhe është izoluar plotësisht nga 5 punonjës të ADZM. Vatra e zjarrit e rënë  ndërmjet Pultit dhe Postrribës ne vendin e quajtur Ura e Telit, është neutralizuar dhe nuk paraqet rrezikshmëri.

Në Bashkinë Fushë Arrëz, është shuar përfundimisht vatra e zjarrit, pa shënuar dëme në njerëz dhe në banesa, duke përllogaritur një sipërfaqe të përshkuar nga flakët 22 HA, pishë e zezë. Operacioni I ndërhyrjes angazhoi 35 forca të armatosura nga Reparti Ushtarak Vau Dejës, 32 forca policore, 18 efektiv zjarrfikës, 5 mjete zjarrfikës, 52 forca vullnetare , 65 forca bashkiake dhe 14 persona, pjesë e shërbimit pyjor.

Janë shuar përfundimisht 2 vatrat e zjarrit në Cukal dhe në Njësinë Administrative Temal nga strukturat e Mbrojtjes së Zjarrit dhe Shpëtimit.

Është shënuar një vatër zjarri në Njësinë Administrative Kelmend, fshati Budac Vermosh, por që nuk është më aktive. Strukturat e emergjencave civile vazhdojnë të jenë të angazhuar në territoret e tyre të përgjegjësisë, të angazhuar për të reaguar në kohë për shuarjen e zjarreve duke shfrytëzuar maksimalisht kapacitetet në nivel bashkie. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos