
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump bëri me dije se do të pezullojë të gjithë procesin e emigracionit në vend përmes një urdhri ekzekutiv për t’iu përgjigjur pandemisë së koronavirusit dhe për të mbrojtur vendet e punës së amerikanëve.
Lëvizja, të cilën presidenti republikan e njoftoi me anë të një postimi në Twitter, ka qenë një qëllim kryesor i Donald Trump për të ulur emigracionin në vend dhe në këtë rast shfrytëzon krizën shëndetësore dhe ekonomike nga pandemia për ta bërë të mundur.
Vendimi i Kreut të Shtëpisë së Bardhë solli reagimin e menjëhershëm të demokratëve, të cilët e akuzuan presidentin se do të tërheqë vëmendjen nga reagimi i gabuar që ai bëri nga koronavirusit.
Trump nga ana e tij, deklaroi se po e bënte këtë gjë për të mbrojtur forcën punëtore amerikane. Miliona amerikanë janë duke vuajtur nga papunësia pasi mijëra kompani kanë mbyllur dyert, dhe pezulluar apo hequr punonjësit për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të Covid-19.
“Në kohën që jemi të sulmuar nga armiku i padukshëm, për të mbrojtur vendet e punës të qytetarëve tanë amerikanë, do të nënshkruaj urdhrin ekzekutiv për të pezulluar përkohësisht emigracionin në Shtetet e Bashkuara”, shkruan në rrjetet sociale presidenti Trump. (A2 Televizion)