
Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski e shtyu deri më 22 qershor gjendjen e jashtëzakonshme në vend si pasojë e pandemisë koronavirus.
Vendimi u mor duke pasur parasysh shifrat e larta të raportuara çdo ditë në vend. 103 raste të reja me koronavirus në 24 orë dhe 5 viktima u raportuan vetëm të hënën.
Shifrat ditore janë në ulje krahasuar me ditët e mëparshme, por gjithsesi mbeten të larta dhe shqetësuese për autoritetet shëndetësore.
Në total, që prej shpërthimit të pandemisë, në Maqedoninë e Veriut janë prekur më shumë se 4100 persona dhe kanë humbur jetën 193 vetë.
Gjithashtu për shkak të situatës, autoritetet kanë vendosur të shtyjnë për më 15 korrik datën e zgjedhjeve të përgjithshme.
Lajmin e konfirmoi dhe lideri i LSDM-së, Zoran Zaev i cili deklaroi se kushtet e VMRO-DPMNE-së janë pranuar dhe se lëvizje nga kjo datë nuk ka.
Vendimin e përshëndeti komisioneri evropian për zgjerim, Oliver Varheyi. nëpërmjet një statusi në Twitter ai tha se ky është sinjal pozitiv për vendin, ndërsa marrëveshja për datë të pranueshme për zgjedhje, sipas tij, çon drejt zgjedhjeve të drejta dhe të lira, me pjesëmarrjen e të gjithëve dhe që do jenë nën monitorimin e OSBE-së. (A2 Televizion)