S’ka ujë dhe ushqim, izolimi kthehet në tragjedi njerëzore në Indi

Nga A2 CNN
30 Mars 2020, 15:19 | Bota
S’ka ujë dhe ushqim, izolimi kthehet në tragjedi njerëzore

Izolimi i banorëve është një masë e thjeshtë për shumë shtete të botës, por jo për Indinë. Në këtë vend, distancimi social është një privilegj edhe për shtresën e mesme, ndërsa vetëm të pasurit mund ta përballojnë pa problem këtë krizë, të cilët kanë mundësitë të punojnë edhe nga shtëpia. Situata është mjaft dramatike, pasi shumë familje të varfra nuk kanë mjaftueshëm ushqim apo ujë të rrjedhshëm në banesa. Për të mos përmendur që strehohen struktura të improvizuara në geto.

India ka një densitet popullate 30 herë më të lartë se Nju Jorku. Uji është një nga arsyet më të forta, që detyron çdo ditë të varfrit e Indisë të largohen nga shtëpitë e tyre duke thyer dhe urdhrin e qeverisë. Për pasojë, izolimi 21-ditor i mbi 1,3 miliardë banorëve, i vendosur nga kryeministri Narendra Modi për të frenuar përhapjen e koronavirusit, mund të shndërrohet në tragjedi.

Ata që nuk shkojnë në punë nuk paguhen, një problem mjaft serioz edhe pse qeveria indiane lëvroi një fond 22 miliardë dollarësh për të ndihmuar ekonominë dhe qytetarët në kapërcimin e kësaj krize. Sikur kjo të mos mjaftonte, mungojnë dhe materialet mbrojtëse dhe ato sanitare në komunitete të shumta të këtij shteti.

Sipas një studimi, në Mumbai ka një banjë për 1400 banorë, dhe në rreth 80% të tyre mungon uji. Ndërkohë, edhe ekonomia në Indi pritet të marrë një goditje të rëndë nga pandemia koronavirus. Miliona punonjës po largohen nga qytetet e mëdha, duke shkaktuar kaos në transport, që në shumicën e rasteve ka pezulluar aktivitetin nga urdhri i qeverisë. Përballë kësaj situate, shumë prej tyre kanë zgjedhur të udhëtojnë në këmbë me mijëra kilometra. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos