
Një ngjarje e shëmtuar racizmi ka ndodhur sot në fushat e kampionatit spanjoll. Ekipi i Valencia-s u detyrua të tërheqë për disa minuta lojtarët e saj nga fusha e blertë, në shenjë proteste ndaj atyre që ata cilësojnë si ofendime raciste të një prej kundërshtarëve.
Bëhet fjalë për futbollistin Juan Cala i Cadiz, i cili në minutën 29, kur rezultati ishte në barazim 1-1, gjatë një aksioni sulmues mendohet t’i jetë përgjigjur në mënyrë raciste mbrojtësit francez Mouctar Diakhaby.
Pamjet tregojnë që diçka e rëndë ka ndodhur, sepse mbrojtësi valencian e humbi totalisht interesin për lojën dhe iu drejtua direkt kundërshtarit, i ndarë nga shokët e ekipit.
Valencia braktisi fushën rreth 15 minuta, me lojtarët e Cadiz të shtangur nga situata e sikletshme. Kur u rikthye në fushë, tek Valencia mungonte pikërisht Diakhaby, ndërkohë që Cala ishte rregullisht në fushë.
Valencia humbi ndeshjen 2-1, por sot vëmendja e futbollistëve pas 90 minutave, ishte më shumë e përqendruar për të ngushëlluar shokun e ekipit. Autoritetet spanjolle kanë paralajmëruar një hetim ndaj ngjarjes së pakëndshme. (A2 Televizion)