Katër bashkëpunëtorë të ngushtë të kryeministrit britanik, Boris Johnson, dhanë dorëheqjen të enjten, në vazhdën e të ashtuquajturit skandali “partygate” në Downing Street.
Qeveria bëri të ditur, gjatë mbrëmjes, se kishte pranuar dorëheqjen e Martin Reynolds, Sekretar i Përgjithshëm i Boris Johnson, i cili u kishte dërguar e-maile 100 personave për t’i ftuar në një festë në maj të 2020-s, dhe po ashtu të shefit të kabinetit Dan Rosenfield, një vit pasi ishte emëruar në këtë post.

Boris Johnson i falënderoj për kontributin në qeveri, përfshirë për punën e bërë lidhur me pandeminë dhe rimëkëmbjen ekonomike. Do të mbeten në detyrë derisa të emërohen pasuesit e tyre. Njoftimi erdhi një ditë pas dorëheqjes së dy bashkëpunëtorëve të tjerë të Johnson, Munira Mirza, këshilltare politike e Johnson dhe shefi i komunikimit Jack Doyle, i cili gjendej në një prej festave që kanë vënë në vështirësi qeverinë britanike.
Skandali për grumbullimet në oborrin e Downing Street, në periudhën kur britanikët ishin nën izolim të rreptë, kanë dobësuar ndjeshëm pozitat e Johnson, e përveç opozitës edhe pjesëtarët e partisë së tij konservatore i kanë kërkuar dorëheqjen. (A2 Televizion)