“Skllavëria” e shtëpive të barit, shqiptari tregon si u mbajt “peng” për 15 muaj

Nga A2 CNN
31 Mars 2023, 22:14 | Bota
“Skllavëria” e shtëpive të barit, shqiptari tregon si

Një emigrant i paligjshëm shqiptar që pagoi 4000 paund për të kaluar në Britaninë e Madhe me varkë për të punuar në shtëpitë e barit, tregon se u mbajt nga trafikantët i mbyllur për më shumë se 15 muaj.

19-vjeçari Besmir Sula u rekrutua nga gangsterët shqiptarë sapo mbërriti në ishull dhe arriti të shpëtonte prej tyre, kur policia ushtroi kontroll në një prej “investimeve” për kultivimin e kanabisit.

I riu shprehet se menjëherë sapo mbërriti në Britani u dërgua nga autoritetet në një qendër emigrantësh për t’u zhvendosur më pas në një nga hotelet e caktuara nga qeveria për azilkërkuesit.

Ishte pikërisht aty ku ai u mor nga trafikantët shqiptarë dhe u zhvendos në shtëpitë e mbushura me kanabis në zonat rurale të Cranbrook dhe Hawkhurst në Kent.

Djaloshi më pas u “dyllos” brenda pasi kishte detyrën e rëndësishme që të kujdesej për më shumë se 500 rrënjë kanabis, një drogë shumë e përdorur nga të rinjtë britanikë, por jo vetëm.

Në muajin dhjetor Sula u arrestua gjatë një operacioni policor dhe doli përpara gjykatës nën akuzat e trafikut dhe prodhimit të lëndëve narkotike, akuza të cilat ai i mohoi gjatë gjithë kohës.

Përfaqësuesi i tij ligjor, John FitzGerald tha se adoleshenti, i cili nuk kishte precedentë të mëparshëm penale, ishte viktimë e një grupi kriminal të organizuar që e kishte shfrytëzuar për një kohë të gjatë.

“Ai është nga një fshat shumë i vogël dhe i varfër në Shqipëri ku punonte gjithë natën në një furrë buke për 300 euro në muaj. Më pas djaloshi mori 4500 euro borxh nga një person i afërt për të udhëtuar ilegalisht drejt Britanisë, ku i ishte premtuar se do të gjente jetën e shumë ëndërruar”, tha avokati.

Fitzgerald e mbylli mbrojtjen duke thënë se Sula ishte një i ri naiv që përfaqësonte në mënyrën më të mirë viktimën e skllavërisë moderne.

Që nga arrestimi i tij, Sula ka qëndruar në paraburgim, me avokatin e tij që i kërkoi gjykatës të ishte e mëshirshme. Gjyqtari Douglas Marks Moore urdhëroi që Sula të vuante dënimin në një institucion për të rinjtë dhe më pas të dëbohej për në Shqipëri. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos