
Fitore shumë e rëndësishme për kryeministrin britanik, Boris Johnson, në testin e parë elektoral pas Brexit. Partia Konservatore në pushtet fitoi një karrige të re në parlament, duke ia rrëmbyer atë laburistëve në bastionin e tyre në qytetin verior të Hartlepool.
Për kandidaten Jill Mortimer, që mori 15 mijë vota kundrejt 8 mijë të rivalit të saj, kjo do të ishte e pamundur dekada më parë.
“Jam shumë krenare të jem deputetja e parë konservatore e Hartlepool në 57 vite. Jo vetëm për këtë, por jam dhe gruaja e parë që zgjidhet në këtë qytet. Është vërtetë një rezultat dhe ditë historike.”
Në procesin e parë elektoral pas zgjedhjeve të 2019-s, britanikët votuan edhe për kryebashkiakët dhe anëtarët e këshillit. Por vëmendja përqendrohet në Skoci, që ëndërron pavarësinë nga Britania.
“Thjesht respekto demokracinë. Çdo politikan e ka për detyrë të respektojë demokracinë dhe kjo aplikohet tek unë apo Boris Johnson”, u shpreh kryeministrja skoceze Nicola Sturgeon.
Me shumë gjasa, Sturgeon do të fitojë një mandat të katërt dhe gjatë fushatës ka premtuar të mbajë një referendum për pavarësinë. Kjo ka tërhequr dhe votuesit. “Nëse vendi dëshiron të ecë përpara dhe të jetë i pavarur, është një vendim i mirë. Koha është e favorshme për këtë”, deklaron një skocez. (A2 Televizion)