Interi fiton një ndeshje tejet të rëndësishme në rrugën e saj drejt fitores në kampionatin italian. Ekipi i Antonio Contes fiton 1-0 ndaj një prej ekipeve më në formë të Serie A, Atalantës, dhe shkëputet sërish me 6 pikë nga “kushërinjtë” e Milanit.
Ndeshja u tregua e denjë ndaj pritshmërive, e shpejtë dhe me sulme të shpeshta në të dy frontet, ku kuqeziu Berat Gjimshiti spikati edhe një herë në mbrojtje, veçanërisht në duelin me Romelu Lukakun.

Pjesa e parë përfundon gjithsesi pa gola, ndërkohë që në pjesën e dytë ekuilibri prishet nga një aksion disi i rrëmujshëm i finalizuar nga mbrojtësi sllovak Milan Skriniar, në minutën 54.
Atalanta tenton të reagojë por nuk është e qartë në metrat e fundit, dhe Handanovic kontrollon, ndërkohë që Interi ka shanse të mira në kundërsulm, por gabon gjithmonë pasimin e fundit. Gjithsesi milanezët kontrollojnë mjaft mirë duke u ngjitur në kuotën e 62 pikëve, 6 më shumë se Milan dhe 10 më shumë se Juventus, kur mungojnë ende 12 ndeshje. (A2 Televizion)