“Sot mbyllim pakon e madhe 8 miliardë lekë”, Rama: Do të shpërndahet gjatë ditëve të para të janarit

Nga A2 CNN
29 Dhjetor 2022, 14:47 | Politikë
“Sot mbyllim pakon e madhe 8 miliardë lekë”, Rama: Do

Me anë të një postimi në rrjetet sociale, kryeministri Rama ka bërë të ditur se sot qeveria do të mbyllë “Pakon e Madhe”, siç e quan ai, prej 8 miliardë lekësh në dorë për rreth 1 milion individë.

“Qeveria po mbyll Pakon e Madhe në mbështetje të 1 milion individëve, për të lehtësuar ndjeshëm daljen e familjeve shqiptare nga ky dimër i ngarkuar, duke zeruar efektin e inflacionit të luftës mbi konsumin bazë për pensionistët, familjet në ndihmë ekonomike, posaçërisht nënat kryefamiljare në skemën e ndihmës ekonomike, paraplegjikët, tetraplegjikët, personat me aftësi të kufizuara, invalidët e punës, po edhe për punonjësit e shtetit - duke dhënë më shumë për ata që fitojnë më pak, por pa lënë askënd pa mbështetje”.

Rama thekson se këto para do të shpërndahen në ditët e para të janarit. “Pakoja e Madhe, e cila parashihet mbi 8 miliardë lekë në dorë për të gjithë individët e përfshirë, do të mbyllet brenda ditës së sotme dhe do të shpërndahet e gjitha në ditët e para të janarit.

Kjo është qeveria e shumicës, jo e disave dhe faktet e shifrat thonë se volumi i mbështetjes financiare të atyre që fitojnë më pak apo të shtresave në nevojë, në vitet e qeverisjes sonë (pa llogaritur fondet masive të Rindërtimit pas tërmetit apo të Luftës me pandeminë) është disafish më i lartë se sa në tërë qeveritë e mëparshme të marra së bashku”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos