Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dorëzuar dokumentacionin e nevojshëm pranë Ministrisë së Drejtësisë për ekstradimin e ish-prokurorit Adriatik Lllalla, i cili është arrestuar më 10 dhjetor në Romë.
Burime zyrtare të SPAK i thanë A2CNN se ish-prokurori i Përgjithshëm, Llalla është prangosur në Romë, të premten, më 10 dhjetor 2021. Sipas burimeve, autoritetet homologe italiane kanë njoftuar në rrugë zyrtare Prokurorinë e Posaçme se Llalla është arrestuar në zbatim të urdhër-kërkimit ndërkombëtar të lëshuar ndaj tij.
Adriatik Llalla kërkohej nga Interpol për llogari të vendimit më 2 vite burg, dhënë ndaj tij nga Gjykata e Posaçme e Apelit më 22 shtator për akuzën e “fshehjes dhe mosdeklarimit të pasurisë”.
I njëjti vendim i hoqi atij të drejtën e ushtrimit të funksioneve publike për 5 vite, si edhe i konfiskoi, gati 22 mijë metra katrorë truall dhe një apartament në Durrës.
Llalla u largua nga vendi pak ditë para se dënimi i tij me burg të merrte formë duke i shpëtuar kështu arrestimit. Më tej, përmes avokatit, ai tentoi të shmangte vajtjen në qeli, duke kërkuar pezullimin e ekzekutimit të vendimit për shkak të problemeve shëndetësore, kërkesë që u rrëzua nga Shkalla e Parë dhe nga Apeli i Posaçëm. (A2 Televizion)
