Spanja sheh përmirësim, 674 viktima në 24 orë, shifra më e ulët në 10 ditë

Nga A2 CNN
5 Prill 2020, 11:48 | Bota
Spanja sheh përmirësim, 674 viktima në 24 orë, shifra

Pas ditëve tepër të zymta, Spanja arrin të shohë dritë në fund të tunelit. Në 24 orët e fundit, më shumë se 670 persona humbën jetën për shkak të Covid-19. Ky ishte numri më i ulët i viktimave në 10 ditët e fundit, ku Spanja raportonte të dhëna shumë tragjike.

Që prej shpërthimit të pandemisë, më shumë se 12 mijë persona kanë humbur jetën, ndërsa janë prekur 130 mijë vetë. Qeveria e drejtuar nga kryeministri Pedro Sanchez vendosi të zgjasë gjendjen e emergjencës për dy javë të tjera deri më 26 prill. Spanjollët po qëndrojnë të mbyllur prej 3 javësh, ndërsa lejohen vetëm lëvizjet e domosdoshme.

Tragjike edhe shifrat që vijnë nga Franca. Më shumë se 1 mijë pacientë humbën jetën në 24 orët e fundit, me një total prej mbi 7500 viktima. Ndjeshëm u rritën dhe shifrat e të infektuarve, që numëron rreth 90 mijë të tillë.

Nën kontroll vijon situata në Gjermani. Të prekurit në këtë shtet janë më shumë se 96 mijë, por autoritetet kanë mbajtur trendin e ulët të vdekshmërisë nga pandemia koronavirus. Viktimat në këtë shtet janë mbi 1400.

Nuk mund të raportohet e njëjta gjë për Britaninë e Madhe. Bilanci atje flet për mbi 4 mijë viktima dhe më shumë se 41 mijë të prekur. Autoritetet parashikojnë nga 7 mijë deri në 20 mijë të vdekur nga Covid-19. Qeveria e Londrës po mendon të shtojë masat e sigurisë dhe po konsideron ndalimin e aktiviteteve fizike në të hapur. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos