
Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, u bëri thirrje qytetarëve që të limitojnë kontaktet me njëri-tjetrin për të frenuar përhapjen e Covid-19.
Gjithashtu, njoftoi se për momentin është shmangur një izolim i ri i të gjithë vendit, megjithatë kërkoi përgjegjshmëri.
“Ne duam dhe duhet të shmangim me çdo kusht një izolim të ri kombëtar, si ai që përjetuam gjatë javëve të pranverës. Ne i dimë sakrificat dhe pasojat ekonomike e sociale që sjell, prandaj duhet të disiplinohemi dhe të ngremë ndërgjegjësimin në maksimum. Virusi po transmetohet mes qytetarëve, nuk udhëton vetë dhe as nuk mund të mbijetojë për shumë kohë jashtë organizmave njerëzore. Për të reduktuar transmetimin, duhet të reduktojmë lëvizjen dhe kontaktet mes njerëzve. Nuk ka ndonjë zgjidhje tjetër alternative”, deklaroi kryeministri spanjoll. (A2 Televizion)