Spanja, vendi me numrin më të lartë të mjekëve të infektuar

Nga A2 CNN
25 Prill 2020, 16:59 | Bota
Spanja, vendi me numrin më të lartë të mjekëve të

Spanja regjistron 378 vdekje të reja ditore nga koronavirusi, duke çuar totalin e viktimave në rreth 23 000. Gjithashtu, u raportuan 2900 raste të reja, me një total prej më shumë se 223 000 të infektuarish.

Më shumë se 3 000 pacientë u shëruan në 24 orët e fundit, një rekord shpresëdhënës, ndërsa në total numri i personave që kanë mposhtur koronavirusin e ri arriti në më shumë se 95 000.

Deri më tani, Spanja është vendi që numëron rastet më të shumta në botë sa i përket të infektuarve mes personelit shëndetësor. Sipas të dhënave zyrtare, 20% e të infektuarve në këtë shtet prekin këtë grupim, ndërsa Italia është vendi që i afrohet më së shumti me 10% të të prekurve që janë mjekë ose infermierë.

Spanja zgjati gjendjen e emergjencës deri më 9 maj, por ka dhënë udhëzime për lehtësimin gradual të masave. Bizneset po mendojnë për mënyra se si të bashkëjetohet me këtë situatë, teksa restorantet po ndërtojnë dhoma xhami për klientët për të rihapur aktivitetin.

Situatë tjetër paraqitet në Gjermani. Pronarët e hoteleve dhe restoranteve, biznese të cilat u mbyllën për shumë javë për shkak të përhapjes së koronavirusit, protestuan në një mënyrë tepër të veçantë. Ata vendosën karrike bosh në hapësira publike për të nxitur ndërgjegjësimin dhe reagimin ekonomik të qeverisë federale. Gjermania numëron 5700 viktima nga virusi pandemik dhe më shumë se 155 000 të infektuar.

Ndërkaq, Franca vazhdon me përmirësimin gradual në sistemin shëndetësor. Rreth 1 000 pacientë u shëruan në orët e fundit, duke lehtësuar presionin ndaj personelit mjekësor. Franca regjistron në total më shumë se 22 000 viktima dhe rreth 160 000 të prekur me koronavirus.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos