
Ansu Fati, ylli i ri i Barcelonës, do të marrë pasaportën spanjolle ditën e premte dhe kjo gjë do ta lejojë 16-vjeçarin që të luajë me kombëtaren e Spanjës në Botërorin e U17 që do të luhet muajin e ardhshëm.
Të mërkurën e ardhshme, trajneri i 17-vjeçarëve spanjollë, David Gordo, duhet të publikojë listën paraprake me 50 lojtarë për turneun në Brazil dhe FIFA nuk lejon në këto lista futbollistë që janë në proces natyralizimi.
Ansu Fati është nga Guinea-Bissau, por mund të luajë edhe për Portugalinë nëse dëshiron. Gjithsesi, burime nga Federata Spanjolle e Futbollit (RFEF) thanë për AS se talenti i ri nuk ka fare dyshime: dëshira e tij është të luajë me Spanjën.
Grumbullimi me Spanjën do të vërë në vështirësi Barcelonën, që do të duhet të bëjë pa adoleshentin i cili përfitoi nga mungesa e Messit për të nisur si titullar ndeshjet e fundit të katalanasve. (A2 Televizion)