
Pinjollët që refuzojnë fronin për arsye të ndryshme janë pjesë e historisë së monarkisë botërore, por një mbret që refuzon trashëgiminë personale të të atit, kjo është pothuajse një risi.
Me një deklaratë zyrtare të shtëpisë mbretërore, mbreti spanjoll Felipe VI ka vendosur të mos përfitojë më nga trashëgimia personale e të atit, ish-mbretit 82-vjeçar Juan Carlos, i cili ka abdikuar në vitin 2014.
Përtej trashëgimisë, 52- vjeçari Felipe nuk do të përfitojë edhe “rrogën” që merrte çdo vit, rreth 194 mijë euro.
Arsyet e këtij vendimi, që tregon edhe marrëdhëniet konfliktuale në familjen mbretërore spanjolle, bazohen edhe tek lajmi që Prokuroria spanjolle kishte filluar një hetim mbi një shumë rreth 100 milion euro, që ish-mbreti Juan Carlos mund të ketë përfituar në Zvicër nga një fondacion panamez, mbrapa të cilit fshihet Arabia Saudite. Diçka për të cilën, Felipe deklaron se nuk ishte në dijeni, një skandal i mundshëm nga i cili mbreti dëshiron patjetër të shmanget. (A2 Televizion)