SHBA, debati midis kandidatëve dominohet nga çështja e koronavirusit

Nga A2 CNN
16 Mars 2020, 08:42 | Bota

Dje në Shtetet e Bashkuara u zhvillua debati midis kandidatëve demokratë të mbetur, Joe Biden dhe Bernie Sanders. Një event i shumëpritur deri pak ditë më parë, që u zbeh pothuajse totalisht nga lajmet, gjithmonë e më shqetësuese, edhe në atë vend për sa i përket përhapjes së koronavirusit.

Edhe pse në turnin e fundit zgjedhor Joe Biden arriti të fitojë një seri shtetesh kyçe, duke dalë si favoriti për kandidaturën demokrate, senatori i Vermontit Sanders nuk u deklarua i mundur, në debatin e zhvilluar me dyer të mbyllura.

Debati detyrimisht u përqendrua tek paraliza që pritet nga pasojat e koronavirusit, që për momentin ka shkaktuar rreth 3500 të infektuar dhe 65 të vdekur në territorin amerikan.

Kandidatët Biden dhe Sanders përshëndeten në mënyrën e njohur  pas përhapjes së koronavirusit

Ndërkohë që Biden u duk sikur fliste tashmë si president, duke thënë se po të ishte në Shtëpinë e Bardhë do të kishte një qasje agresive ndaj masave shëndetësore, me krijimin e dhjetëra qendrave testimi në çdo shtet amerikan dhe ndërtimin e spitaleve të reja enkas, Sanders u përqendrua në pasojat e mëvonshme sociale, ku sipas tij “gjysma e popullatës është në rrezik, nga momenti që jeton vetëm me rrogën që merr”, dhe rikujtoi idenë tij kryesore të “Healthcare-for-all”, pra shërbimit shëndetësor falas për të gjithë.

Ndërkohë, në vend merren masa gjithmonë e më të forta, ku tashmë po vijojnë urdhrat e guvernatorëve për mbylljen e shkollave dhe lokaleve, veçanërisht në zonat më të goditura si shteti i Uashingtonit, Illinois dhe Nju Jorku.

https://a2news.com/2020/03/13/koronavirusi-trump-shpall-gjendjen-e-emergjences-kombetare/

Për të paraprirë krizën e mundshme ekonomike, në një akt të jashtëzakonshëm FED,  banka qendrore amerikane, deklaroi dje se do të ulë normën e interesit të dollarit pothuajse në zero, diçka që nuk ndodhte që nga kriza financiare e vitit 2008 e nisur nga Lehman Brothers. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos