Turizmi është padyshim sektori më i goditur nga pandemia e Covid-19, dhe as nisma si ajo për të pushuar në Shqipëri nuk do të kompensojnë dot humbjet. Në fakt pritet që kjo industri të kthehet në nivelin e 10 viteve më parë.
Mungesa e turistëve të huaj vihet re edhe pa nevojën e statistikave, ku automjetet që përshkojnë Qafën e Llogorasë janë si rrallëherë të pakta në kulmin e sezonit dhe mbajnë vetëm targa shqiptare.
Një humbje që bartet në të gjithë ekosistemin ekonomik të kësaj zone, që nga lokalet dhe restorantet, tek shitësit anës rrugës.
Flori dhe familja e tij janë disa prej të shumtëve që e kanë ndjerë zbrazëtinë e këtij sezoni veror. Ashtu si çdo vit, ata janë zhvendosur nga Dukati për të shitur mjaltin që vjelin vetë nga kosheret e tyre, një punë që i siguron atyre të ardhura për gjithë vitin. Flori na tregon me pasion punën që bën, teksa shpjegon si kanë qenë kullotat e këtij viti. “Shitjet janë ulur shumë, turistët nuk kanë ardhur për shkak të COVID-19”, thotë Flori i vogël.

Turizmi patriotik
Në ballkonin panoramik të Llogarasë, ku udhëtarët bëjnë një pushim nga rruga dhe shijojnë pamjen e rivierës së Jonit, spikatin disa vizitorë. 460 kilometra të përshkuara për të mbërritur nga Suhareka në skajet më jugore të bregdetit shqiptar. Një rrugë që për shumëkënd mund të jetë e lodhshme, por për këta motoristë të klubit Brigada 123, që mban emrin e batalionit të UÇK, ndihet si një kontribut që i bëhet vendit.
Turizmi patriotik është një nga fjalët kyçe të këtij sezoni veror, ku ekonomia shqiptare do të mbështetet për të zbutur ndikimin e fortë të pandemisë globale.
Nga 781 mijë të huaj që shkelën kufijtë shqiptarë gjatë gjysmës së parë të vitit, rreth 300 mijë janë vizitorë nga Kosova. Ndërsa pjesa tjetër plotësohet me shqiptarë nga Maqedonia, Mali i Zi dhe Greqia dhe shumë pak vizitorë të huaj.
Ndikimi i turizmit patriotik është shumë i madh edhe në një vit normal, ku nga 3.2 milionë netë qëndrime të regjistruara, 1 milionë janë pushues të brendshëm dhe rreth 600 mijë i takojnë turistëve nga Kosova. Me një shpenzim mesatar ditor prej 43 eurosh, llogaritet se pushuesit nga Kosova sjellin mbi 100 milionë euro në vit në ekonominë shqiptare.

Në Himarë, ku këtë vit flitet vetëm shqip
Himara është një nga qytetet më të frekuentuara të Jugut, kryesisht nga familjet. Teksa mbërrijmë plazhet duken në pamje të parë plot, por vendasit na tregojnë se situata është shumë më ndryshe nga një vit më parë. I kthyer në vitet e fundit në një qendër edhe për turistë nga e gjithë bota, sot flitet vetëm shqip.
Valentina së bashku me të shoqin janë kthyer 10 vite më parë nga një emigracion i gjatë në Greqi, për t'i shpëtuar krizës dhe duke shfrytëzuar mundësinë për të nisur një biznes. Dhomat që japin me qira, sot e ndjejnë mungesën e pushuesve. Ndërsa kriza ka shkaktuar edhe një rënie të fortë të xhiros në marketin e tyre.
Një pjesë e madhe e dhomave në strukturat akomoduese të qytetit e kaluan natën bosh. Për një pjesë të madhe të shtëpive që mirëpresin turistë, këto janë të ardhurat e tyre të vetme dhe do të përkthehen në një shtrëngim të rripit gjatë muajve të dimrit dhe më pak investime për sezonin e ardhshëm.
I cilësuar para pandemisë si viti i turizmit blu, Gushti i gjen mjetet lundruese turistike me më pak klientë se 2019-ta. Të njëjtën situatë shprehin të gjitha bizneset në këtë qytet.

Për çdo turist që do të mungojë këtë sezon, Shqipëria do të humbasë mesatarisht 53 euro në ditë. Kjo shifër rritet ndjeshëm për të huajt dhe duke konsideruar që fuqia blerëse e shqiptarëve ka rënë. Kjo për një humbje totale të pritur prej mbi 1 miliard euro, para që në të kundërt do të shkonin për akomodimin, shpenzime në bare, restorante, markete dhe shërbime të tjera.
Çdo verë në Himarë zbarkon edhe një armatë e tërë e të punësuarve sezonalë, që vijnë nga e gjithë Shqipëria për të siguruar të ardhura. Në një vit të vështirë si ky dhe me shumë pasiguri, një punë e tillë është edhe më vendimtare.

Enea është një prej kamarierëve të punësuar në restorantet e qytetit. Shokët që kanë punuar vitet e mëparshme ia kanë prezantuar si një mundësi të mirë. Fluksi nuk është ndoshta ai që priste, megjithëse Enea shprehet pozitiv.
Një tjetër familje ka ndërmarrë hapin për t'u zhvendosur nga banesa e tyre në Gjirokastër, për të ngritur një stendë ku shesin suvenire për pushuesit. Për ta është një rrezik i madh, pasi duhet të paguajnë edhe për shtëpinë me qira ku duhet të jetojnë.
Industria e turizmit zë një peshë të ndjeshme në ekonominë shqiptare të llogaritur në 21,2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Mbi të gjitha, vendi është mbështetur te ky sektor për rritjen ekonomike. Në 5 vitet e fundit, 1 në 4 vende të reja të hapura pune kanë qenë të mbështetura te turizmi. Ndërsa këtë vit gjysma e tyre mund të qëndrojnë të mbyllura, veçanërisht për stafin sezonal që punësohet gjatë sezonit veror.
Në fund flasim për një infrastrukturë të ngritur për të shërbyer jo më 1 apo 2 milionë turistë, por 6, 8 apo 10. Në këtë situatë sigurisht që ka të avantazhuar dhe disavantazhuar, por në fund ata që humbasin jemi të gjithë. (A2 Televizion)