Autoritetet braziliane nëpërmjet Gjykatës së Lartë Federale kanë urdhëruar arrestimin paraprak të Ervin Matës, 38-vjeçarit shqiptar të shumëkërkuar nga SPAK. Sipas mediave vendase, Mata jeton në Brazil.
CNN në Brazil bën të ditur se urdhër-arresti u lëshua më 11 mars, por dekreti u publikua vetëm më datë 23 shtator. Çështja po përpunohet në mënyrë konfidenciale në Gjykatën Federale Supreme të Brazilit si pjesë e një kërkese për ekstradim, ndërsa Ervin Mata nuk është arrestuar ende.
Autoritet shqiptare kanë paraqitur një kërkesë në gjykatat braziliane për ekstradimin e biznesmenit. Në Shqipëri, Ervin Mata akuzohet nga SPAK për trafik droge, pjesëmarrje në një organizatë kriminale dhe shoqatë kriminale,shkruan A2 CNN.
Sipas autoriteteve shqiptare, hetimet kanë mbledhur prova dhe tregojnë se biznesmeni koordinoi trafikimin e 240 kg kokainë në Frankfurt të Gjermanisë, në shtator 2020.
CNN i referohet edhe deklaratave të publikuara në mediat shqiptare, sipas të cilave, Mata është në kërkim ndërkombëtar që nga nëntori i vitit 2023. I arratisuri dyshohet gjithashtu për organizimin dhe financimin e vrasjeve.
Në vendim, kreu i Gjykatës së Lartë Federale në Brazil Alexandre de Moraes deklaron se paraburgimi synon të sigurojë ekzekutimin e çdo urdhri ekstradimi.
Sipas SPAK dhe informacioneve të përgjuara përmes aplikacionit të koduar “Sky ECC”, Ervin Mata konsiderohet si organizator i një rrjeti të strukturuar kriminal që ka trafikuar sasi të mëdha kokaine nga Amerika Latine në Evropë. (A2 Televizion)