Raporti i DASH për klimën e investimeve në Shqipëri, reagon Bardhi: Rama ka kriminalizuar ekonominë

Nga A2 CNN
28 Shtator 2025, 13:39 | Politikë

Raporti i DASH për klimën e investimeve në Shqipëri, reagon

Kryetari i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi la reaguar për raportin e publikuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit mbi klimën e investimeve në Shqipëri. Në një reagim në rrjetet sociale, Bardhi shprehet se ky raport provoi denoncimet me fakte të opozitës për kriminalizimin e ekonomisë gjatë qeverisjes së Edi Ramës.

“Raporti i vitit 2025 mbi klimën e investimeve në Shqipëri publikuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit është një aktakuzë realiste mbi gjendjen ku ndodhet sot ekonomia shqiptare. Ky raport provoi edhe njëherë denoncimet me fakte të opozitës shqiptare për kriminalizimin e ekonomisë gjatë qeverisjes së Edi Ramës”, shkruan Bardhi, përcjell A2 CNN.

Sipas tij, “Departamenti Amerikan i Shtetit konstaton se prania e madhe e të ardhurave të paligjshme nga trafikimi i drogës, kontrabanda, evazioni fiskal dhe korrupsioni shtrembërojnë konkurrencën në treg. Raportimi i investitorëve se mund të jenë objekt shantazhesh nga administrata publike, media dhe grupe kriminale, është faktori kyç që mban larg investimet e huaja nga Shqipëria”.

Bardhi vijon më tej duke shtuar se ligji për Investimet Strategjike, i miratuar në vitin 2015 me qëllim nxitjen e investimeve vendase dhe të huaja në sektorët strategjikë, nuk ka tërhequr shumë investime të huaja, pavarësisht zgjatjeve të shumta përtej afatit fillestar, dhe se shumica e mbi 60 projekteve të miratuara fokusohen në sektorin e turizmit dhe dominohen nga investitorë vendas.

“Gjendja e trishtë e përshkruar në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit nuk ka ardhur nga hiçi. Ajo është krijuar nga Edi Rama, që investimet, lejet e licencat për biznes, në shkelje të konkurrencës, i ndanë në takime private nëpër hotelet e botës apo nëpër takime sekrete me krimin e organizuar si ai në Aruba. Për të ndryshuar gjendjen, për të çliruar ekonominë nga korrupsioni e krimi i organizuar, duhet të largohet përgjegjësi i kësaj situate që është Edi Rama”, përfundon Bardhi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos