Në korrik me transmetim komunitar, në gusht jo, deklaratat kontradiktore për koronavirusin në Shqipëri

Nga A2 CNN
7 Gusht 2020, 14:34 | Aktualitet
Në korrik me transmetim komunitar, në gusht jo, deklaratat

Ishte 13 korrik kur gjatë përcjelljes së informacionit të përditësuar për situatën epidemiologjike në vend, Instituti i Shëndetit Publik njoftonte: “Aktualisht kemi transmetim komunitar të përhapjes së virusit në disa bashki të vendit. Ministria e Shëndetësisë i kërkon qytetarëve të vendosin maskën, të ruajnë distancën dhe higjienën, për të kufizuar përhapjen e COVID-19”, shprehej Eugena Tomini nga Instituti i Shëndetit Publik.

Statistikat më 13 korrik njoftonin 3571 raste pozitive që nga nisja e pandemisë, prej të cilave 1462 ende aktive, si pasojë e transmetimit komunitar të koronavirusit. Dy ditë më vonë, më 15  korrik, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu do të përforconte faktin se po përballemi me një transmetim komunitar.

Ministria e Shëndetësisë, më 15 korrik njoftoi edhe rihapjen e spitalit Covid2. Por thuajse një muaj më vonë, ndonëse shifrat mbeten të larta, autoritetet e mjekësisë mohojnë që Shqipëria po përballet me një transmetim komunitar.

Me radhë, të ftuar në ditë të ndryshme në A2, shefi i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, mjeku infeksionist Pëllumb Pipero dhe epidemiologu Ilir Alimehmeti thanë se nuk kemi të bëjmë me transmetim komunitar të koronavirusit në vendin tonë.

Ky fakt përforcohet edhe nga Organizata Botërore e Shëndetit, që nuk e konsideron përhapje e koronavirusit në vendin tonë, si transmetim komunitar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos