Stendat u ngritën edhe këtë herë. Pallati i Kongreseve u bë gati të mirëpresë më shumë se 100 shtëpi botuese, përfshirë këtu edhe ato nga Kosova, Maqedonia e Mali i Zi që sollën në Tiranë më shumë se 800 tituj të rinj të publikuar përgjatë këtij viti.

Shtëpitë botuese 3 vitet e fundit kanë ndjekur edhe një politikë tjetër për ta mbajtur mbërthyer publikun. Ndonëse ka qenë shumë e vështirë për botuesit të sjellin në stendat e tyre autorët e përkthyer, takimet e shkrimtarëve shqiptarë me lexuesin nuk kanë munguar.
Shtëpitë më të mëdha botuese kanë kënde të veçanta edhe për autorët shqiptarë, por përtej titujve të shumtë që prezantojnë botuesit, në stenda këtë vit ka më pak vizitorë, rrjedhimisht edhe më pak blerës, sidomos në katin e dytë të këtij panairi.

Botuesit vijojnë ende të kërkojnë mbështetje, edhe në tryezat rrumbullake ku takohen me instancat shtetërore, sërish me shpresën se panairi i 23-të i librit të jetë më i mirë. (A2 Televizion)