Spitalet COVID në kaos, familjarët: Vonohet shtrimi i pacientëve, nuk na japin informacion

Nga A2 CNN
6 Nëntor 2020, 21:37 | Aktualitet
Spitalet COVID në kaos, familjarët: Vonohet shtrimi i pacientëve,

Gjendja sa vjen dhe rëndohet në Spitalin Infektiv për shkak të numrit të lartë të pacientëve që kërkojnë shtrim. Familjarët e tyre thonë se për rastet e reja duhet të qëndrojnë disa orë të oksigjenuar në urgjencë ose pranë ambulancave deri në momentin që lirohet një shtrat.

Jashtë dyerve të Infektivit ka lot dhe ankth për të mësuar mbi shëndetin e të prekurve nga pandemia.

Një zonjë sapo ka sjell të ëmën pranë spitalit Covid 1. Vonesa në shtrimin e pacientes dhe gjendja e saj e rënduar shton shqetësimin te familjarët. “Kisha mamanë, tani kam babanë, mamaja është e paralizuar. Druhem se duhet të pres gjatë për shtrim”, thotë ajo.

Edhe të tjerë qytetarë nuk kanë informacion për familjarët e tyre. Në tentativë për t’i dërguar bashkëshortit veshmbathje dhe pak ujë, një zonjë duhet të pres orarin e pasdites për të futur produktet.

Për familjarët nga rrethet qëndrimi në Tiranë dhe pa informacionin përkatës ka kosto edhe më të larta. Një zonjë ankohet se i duhet të kthehet çdo ditë në Shijak me taksi. Kërkojnë të kenë komunikim me telefon me mjekët, dhe nuk mungojnë as rastet kur pacientët rikthehen sërish në spitalet COVID pas trajtimit të tyre.

Ndërkohë në spitalin COVID 3 po marrin shërbim pacientët në gjendje të normalizuar. Në këtë ambient spitalor ka shtretër por mungojnë mjekët.

Java e parë e nëntorit ka sjell numër rekord infektimesh dhe humbje jetësh të pacientëve me COVID-19. Mjekët epidemiolog paralajmëruan se stina e vjeshtës duhet t’i gjejë spitalet më të përgatitura por duket se kjo gjë nuk po ndodh pasi numri i shtrimeve është drejt limiteve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos