
Dy shtetas italianë kanë humbur jetën të enjten si pasojë e një sulmi me dronë iranianë ndaj instalimeve ushtarake në Kuvajt. Lajmi u konfirmua nga ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, i cili bëri të ditur se viktimat ishin dy teknikë të kompanisë italiane të mbrojtjes, Rheinmetall Italia.
Sipas Tajanit, dronët iranianë goditën disa objekte ushtarake, mes tyre edhe një stacion zbulimi të mbrojtjes ajrore, ku dy teknikët italianë po kryenin punime mirëmbajtjeje për antenat e një sistemi të përdorur nga forcat e armatosura kuvajtiane.
Ministri italian bëri të ditur se, pas një shpërthimi të fuqishëm, raportet nga terreni konfirmuan vdekjen e dy shtetasve italianë.
Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes së Kuvajtit konfirmoi se nga sulmi mbetën të plagosur edhe dy persona të tjerë, një shtetas kuvajtian dhe një shtetas pakistanez.
Sipas autoriteteve kuvajtiane, dronët iranianë u rrëzuan në hapësirën ajrore të vendit, por mbetjet e tyre ranë në tokë, duke shkaktuar shpërthime dhe dëme.
Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave, ndërsa ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Sa'ar, deklaroi se sulmi dëshmon kërcënimin që, sipas tij, paraqet Irani për sigurinë dhe stabilitetin në Lindjen e Mesme.
(A2 Televizion)