Në një tryezë me mazhorancën, opozitën, drejtues institucionesh dhe shoqëri civile Marta Kos mbështeti kalendarin për anëtarësimin e Shqipërisë në BE në vitin 2030. Por pasi komisionerja për Zgjerim dëgjoi Taulant Ballën dhe Jorida Tabakun, renditi kushtet e Brukselit dhe veçoi edhe një vlerësim për protestën në Shqipëri.
“Në këtë fazë të procesit pa dyshim që konsensusi politik merr një rëndësi shumë më të madhe se kurrë më parë. Jemi pikërisht në javët kur po ndërtojmë linjat e veprimit për paketën e masave të ndryshimeve zgjedhore në funksion të zgjedhjeve të 9 majit në një ditë bukur siç është dita e Europës. Dua të kujtoj se legjislacioni ynë zgjedhor ekzistues është produkt i konsensusit politik. Edhe përmirësimet e tjera të mëtejshme duhet të udhëhiqen nga e njëjta qasje duke adresuar rekomandimet ndërkombëtare, duke garantuar gjithëpërfshirjen dhe të konsolidojmë sistem zgjedhor me besueshmëri europiane dhe dallimet që na mbajnë larg mes njëri-tjetrit të mos bëhen pengesë për përmbushjen e objektivave kombëtarë. Ne jemi të vendosur që objektivin e përmbylljes së negociatave brenda Krishtlindjeve të vitit 2027 ta mbështesim në punë të përditshme me përgjegjësi institucionale dhe me rezultate tejet të matshme”, tha Balla.
“Në parlament po flitet gjithmonë e më pak për integrimin. Qeveria po jep gjithmonë e më pak llogari. Opozita përballet me rezistencën e shumicës, qoftë edhe për të organizuar një debat parlamentar për çështje të integrimit. Gjatë këtyre 15 muajve janë hapur të gjithë kapitujt, janë përcaktuar kushtet edhe për mbylljen e tyre, ndërkohë që ODIRI ka dokumentuar mjegullimin e vijës ndarëse mes shtetit dhe partisë në zgjedhjet e 11 majit, Komisioni Europian ka ngritur shqetësim edhe për funksionimin e parlamentit, por edhe për drejtësinë dhe për korrupsionin e nivelit të lartë. Ndërkohë që në Bruksel po kudo tjetër po flitet njëkohësisht edhe për pastrimin e parave të drogës në ndërtim por dhe në sektorë të tjerë të ekonomisë. Është kërkuar njëkohësisht ndryshimi i ligjit të zonave të mbrojtura dhe ligjit për investime strategjike. Për asnjërën prej këtyre çështjeve ky parlament nuk ka diskutuar. Shumë faleminderit për këtë vizitë këtu. Shumë faleminderit edhe për nisjen e një dialogu dhe unë uroj që veshin tuaj ta ketë jo vetëm një anë politike, por ta ketë gjithë shoqëria shqiptare”, u shpreh Tabaku.
“Për shtetet tona anëtare, rezultatet konkrete të Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe përafrimi juaj me legjislacionin e BE-së për mjedisin, do të jenë ndër testet më vendimtare. Fokusi do të jetë gjithnjë tek zbatimi, tek veprimet, jo thjesht fjalët, pra tek veprat. Në fushën e shtetit të së drejtës, prova vendimtare do të jetë mënyra se si autoritetet reagojnë ndaj hetimeve, përfshirë edhe rastet kur ato kanë të bëjnë me vënien përpara përgjegjësisë të personave në pozita të larta pushteti. Pikërisht në zbatimin e ligjit shihet nëse institucionet janë vërtetë të pavarura dhe nëse shoqëria po ndryshon realisht. Një moment i tillë historik duhet të sjellë dialog ndërmjet të gjithë aktorëve politikë në Shqipëri. Disa nga shqetësimet që janë ngritur nga protestat e fundit kanë të bëjnë dhe janë të lidhura ngushtësisht me negociatat e anëtarësimit dhe ne do të bëjmë patjetër të pamundurën pjesën tonë për t'i trajtuar ato. Qytetarët që kërkojnë veprim kundër korrupsionit, transparencë më të madhe ose mbrojtje më të mirë mjedisore, mund ta ndihmojnë Shqipërinë duke e shtyrw atë përpara në rrugëtimin e saj drejt BE-së. Ata nuk po pengojnë anëtarësimin në BE, ofrojnë mundësinë madje për të ecur përpara më shpejt. Mbyllja e negociatave deri në fund të vitit 2027, nënshkrimi i traktatit të anëtarësimit në 2028-n dhe që Shqipëria të bëhet shtet anëtar i familjes europiane deri në vitin 2030. Mund të mbështeteni tek ne, te Komisioni Europian edhe tek mbështetja ime personale”, deklaroi Marta Kos. (A2 Televizion)