
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, njoftoi se qeveria shqiptare dhe ajo e Turqisë kanë rënë dakord të administrojnë bashkërisht spitalin memorial të Fierit, të ndërtuar nga Turqia, për 3 vitet e ardhshme. Ministrja tha se për këtë fazë kalimtare është miratuar një protokoll bashkëpunimi.
Manastirliu shtoi gjithashtu se në 5 muajt e parë të funksionimit të këtij spitali aty kanë punuar më shumë se 75 mjekë e infermierë, ndërsa janë kryer 22 mijë ndërhyrje e ekzaminime falas.
Ministrja e Shëndetësisë shtoi se në mbledhjen e qeverisë është miratuar edhe një dokument “shumë i rëndësishëm politik”, që ka të bëjë me agjendën kombëtare për të drejtat e fëmijëve për vitet 2022-2026, që kërkon ta koordinojë të gjitha politikat për të drejtat e fëmijëve. Dokumenti përmbledh një plan konkret veprimi, që mbron të drejtat e fëmijëve, veçanërisht ata që vijnë nga grupet vulnerabël, tha ministrja. (A2 Televizion)