Shqipëri-Spanjë 1-0: Përfundon me kokën lart aventura e Kombëtares në Euro 2024

Nga A2 CNN
24 Qershor 2024, 22:54 | Live Euro 2024

Shqipëri-Spanjë 1-0: Përfundon me kokën lart aventura e

Shqipëria mbylli ëndrrën europiane pasi u mund nga Spanja në ndeshjen e tretë në grup. Në pjesën e parë, Iberikët dominuan totalisht lojën dhe zhbllokuan shifrat në minutën e 14 me Ferran Torres.

Një gol që çekuilibroi tërësisht kuqezinjtë që e panë vetën dhe disa herë të tjera në rrezik. Kërcënimi i parë drejt portës spanjolle erdhi vetëm në minutën e 44, me Kristjan Asllani që goditi fort nga jashtë zone,  por gardiani Raja kontrolloi mjaft mirë. Në pjesën e dytë, trajneri Silvinjo rifreskoi skuadrën pasi aktivizoi Brojën, Hoxhën, Medon Berishën dhe Mucin por rezultati nuk ndryshoi.

Në këtë mënyrë Shqipëria mbyll këtu rrugëtimin në Europianin e Gjermanisë. Pavarësisht se përballë gjigandëve botëror, kuqezinjtë bënë një paraqitje pozitive ndonëse në fund morën vetëm 1 pikë, nga barazimi me Kroacinë në Hamburg.

Sylvinho: Ishim në grupin e vdekjes. Tani kemi Botërorin 

Trajneri Sylvinho, pas eliminimit të Shqipërisë nga “Euro 2024”, vlerësoi paraqitjet e Kombëtares ndaj Italisë, Kroacisë dhe Spanjës, në atë që u quajt “Grupi i Ferrit”.

“Sigurisht që dalim me kokën lart. Ishim në grupin e vdekjes, në një grup me kampionë Europe dhe Bote. Jam i trishtuar për rezultatin, por jo për paraqitjet. Kemi bërë mirë në të gjitha ndeshjet. Kemi luftuar gjithmonë deri në fund”, theksoi braziliani i stolit kuqezi.

“Kemi arritur në një pikë të rëndësishme në këtë Europian. Pamë 6-7 lojtarë të rinj në fushë. Por, edhe lojtarët e tjerë me eksperiencë kanë bërë mjaft mirë. Të gjithë prisnin të humbnim nga 3-0 apo 4-0, por kemi qenë gjithmonë aty në të tri ndeshjet duke luftuar”, shtoi Sylvinho.

Sa i përket të ardhmes, trajneri i Kombëtares u shpreh: “Kemi Nations League, më pas eliminatoret e Kupës së Botës. Falënderoj Federatën, gjithë stafin dhe gjithë njerëzit me të cilët kemi punuar. Kemi bërë gjëra të mira, kemi treguar rritje. Është e rëndësishme të vazhdojmë të luajmë dhe të provojmë sërish emocionet e Europianit, por edhe Botërorit”.

"Eksperiencë e madhe për ne", Gjimshiti: Të rinjtë do të mësojnë dhe do të përmirësohen shumë 

Berat Gjimshiti, kapiteni i Shqipërisë, pas humbjes 1-0 ndaj Spanjës deklaroi se Kombëtarja “zhvilloi ndeshje të mira në një grup ndër më të vështirët”.

“E filloj nga ekipi, stafi, të gjithë që kanë qenë të pranishëm. Jam i lumtur për të gjithë ekipin për performancat që kemi treguar në fushë, jo shumë për ndeshjen e parë, ku u emocionuam paksa. Falënderoj gjithë tifozët që na kanë përkrahur dhe mbështetur kaq shumë në çdo ndeshje. Gjëja më e rëndësishme është të shohim përpara. Patëm një grup ndër më të vështirët. Treguam ndeshje të mira”, u shpreh Gjimshiti pas ndeshjes që i dha fund aventurës kuqezi në “Euro 2024”.

“Kemi bërë gabime, por është një eksperiencë e madhe për ne. Për të gjithë që bënë Europianin e parë, siç jam edhe unë. Të rinjtë do të mësojnë dhe do të përmirësohen shumë”, shtoi mbrojtësi i Atalantës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos