40 vjet pas “Dorës së Zotit”, Argjentina e Messi-t gjunjëzon Anglinë, siguron finalen e madhe

Nga A2 CNN
15 Korrik 2026, 23:00 | Futboll

40 vjet pas “Dorës së Zotit”, Argjentina e Messi-t

Një tjetër kapitull i lavdishëm dhe plot dramë u shkrua nga Argjentina në rivalitetin historik me Anglinë. Kombëtarja "Albiceleste" ia doli të përmbysë në shifrat 1-2 në gjysmëfinalen e dytë të Kupës së Botës, duke siguruar një biletë të artë për në finalen e madhe ku i pret Spanja.

Ndeshja nisi me një ritëm mjaft të lartë, por ishte pjesa e dytë që solli spektaklin dhe emocionet e vërteta të sfidës. Anthony Gordon kaloi Anglinë në epërsi në fillim të pjesës së dytë, duke ndezur festën te tifozët e "Tre Luanëve" e duke dhënë iluzionin se më në fund ky mund të ishte Botërori i tyre.

Mirëpo, reagimi i kampionëve në fuqi nuk vonoi, ku në fushë u shfaq një ekip me grint dhe shpirt për të fituar. Ishte mesfushori Enzo Fernandez ai që vendosi baraspeshën me një goditje të saktë, duke shtangur portierin Pickford, i cili më herët kishte shpëtuar portën nga disa raste goli. 

Kur ndeshja dukej se po i drejtohej shtesave dhe tensioni në stadium kishte arritur kulmin, në skenë u shfaq kapiteni. Lionel Messi me një asist plot klas gjeti në zonë Lautaro Martinez.

Sulmuesi argjentinas nuk gaboi, duke u shkëputur bukur dhe duke e dërguar topin në rrjetë me një goditje të saktë me kokë në minutat e fundit të lojës. Goli i Martinez vulosi ndeshjen në shifrat 1-2. 

Një triumf që vjen 40 vjet pas "Dorës së Zotit" së Maradonës, një prej ndeshjeve më ikonike në historinë e Kupës së Botës.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos