Ancelotti nis punën, publikon listën e Brazilit për dy sfidat e qershorit

Nga Dea Kozma
27 Maj 2025, 19:41 | Futboll

Ancelotti nis punën, publikon listën e Brazilit për dy sfidat e

Pas zyrtarizimit, Carlo Ancelotti u prezantua si trajneri i Brazilit, ku mes të tjerash publikoi dhe listën e skuadrës për dy ndeshjet e muajit qershor kundër Ekuadorit, më 5 qershor në transfertë, dhe pesë ditë më vonë ndaj Paraguait.

Në 25 emrat e thirrur nga Ancelotti nuk kishte surpriza. 65-vjeçari rikthen në skuadër mesfushorin e Manchester United, Casemiro, dhe sulmuesin e Tottenham, Richarlison, shkruan A2.

Dyshja nuk ishte grumbulluar me Brazilin që nga humbja 2-0 ndaj Uruguait në tetor 2023.

Ndërkohë, jashtë është lënë Rodri dhe sulmuesi Neymar, i cili për shkak të një dëmtimi në kofshë që pësoi në muajin prill ende nuk është gati dhe në formën e tij më të mirë.

Në fjalët e tij të para si trajneri i Brazilit, Carlo Ancelotti u shpreh se është "i nderuar dhe krenar që drejton ekipin më të mirë në botë", ndërsa synon të fitojë Kupën e Botës 2026. 

"Kam një punë të madhe përpara meje. Jam i kënaqur me grupin që kam, sfida është e madhe. Gjithmonë kam pasur një lidhje të veçantë me këtë ekip. Do të punojmë për ta bërë Brazilin përsëri kampion. Ky është synimi ynë”, tha Ancelotti.

Brazili është në vendin e katërt në kualifikueset e Kupës së Botës në Amerikën e Jugut, me katër ndeshje të mbetura, ndërsa gjashtë ekipet e para në renditje fitojnë kualifikim direkt në Botërorin 2026. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos