Arsenal vijon t’i bëjë presion Liverpulit në garën për titullin kampion në Premier League.
“Topçinjtë” mundën 2-1 Notingem Forest në transfertë dhe siguruan fitoren e dytë radhazi. Në pjesën e parë, pavarësisht se rastet nuk munguan, rrjetat nuk u prekën. Rezultati u zhbllokua në minutën e 65, kur Gabriel Zhezus nuk gaboi dhe dërgoi topin në rrjetë.
Edhe pas këtij goli, Arsenali nuk e ndali ritmin. Pak minuta më vonë radha ishte e Saka që finalizoi saktë një aksion të shpejtë.
Notingem Forest u zgjua vetëm në fund me një gol, por nuk kishte më kohë.
Pas këtij suksesi, “Topçinjtë” janë në kuotën e 46 pikëve, 2 më pak se Liverpuli kryesues, ndonëse “Të kuqtë” kanë një ndeshje më pak.
Aston Vila u ndal nga Njukasëll në një ndeshje të bukur dhe me shumë emocione. Protagonisti kryesor i ndeshjes ishte Fabian Shar, i cili shënoi dy gola brenda 4 minutash. Edhe në pjesën e dytë historia nuk ndryshoi. Një autgol i Aleks Morenos dërgoi shifrat në 3-0 dhe praktikisht vulosi fitoren e Njukasëllit.
Nga ana tjetër, Aston Vila shkurtoi diferencat me Uotkins, por vetëm kaq. Pas kësaj disfate, ekipi i Unai Emeri mbetet në vendin e katërt, me 43 pikë, po aq sa Mançester Siti i vendit të tretë, ndërsa Njukasëll ngjitet në vendin e shtatë, me 32 pikë. (A2 Televizion)