
Mesfushori i kombëtares shqiptare, Kristjan Asllani, foli pas barazimit 0-0 ndaj Serbisë duke e vlerësuar paraqitjen e skuadrës si një nga më të mirat në kohët e fundit, megjithëse mungoi konkretizimi në rezultat.
“Bëmë një lojë të mirë, na mungoi goli. Kishim kohë që nuk bënim një ndeshje kaq të mirë,” tha Asllani, duke theksuar përmirësimin e ndjeshëm në lojën e ekipit dhe dominimin në fushën e lojës, shkruan A2 CNN.
I pyetur për penalltinë e humbur nga Rey Manaj, mesfushori i Interit u tregua i qartë dhe i matur në përgjigjen e tij:
“Manaj? Ai nuk ka nevojë për suport, ka luajtur shumë ndeshje me Kombëtaren dhe një gabim i tillë mund të ndodhë.” Me këtë deklaratë, Asllani shprehu mbështetjen dhe respektin për shokun e skuadrës, duke treguar frymën pozitive dhe unitetin brenda grupit.
Në lidhje me penalltinë, ai tregoi edhe dëshirën e tij për të marrë përgjegjësinë:
“Sigurisht që doja ta gjuaja dhe unë, por kemi rregulla dhe sot ishte ai i pari.” Kjo deklaratë tregon për disiplinën dhe profesionalizmin në kampin kuqezi, ku gjithçka respektohet sipas marrëveshjeve të brendshme.
Në fund, Asllani i bëri thirrje skuadrës që të mos ndalet te ky rezultat dhe të përqendrohet te sfidat që vijnë: "Tani të mendojmë për ndeshjen tjetër.”
(A2 Televizion)