Atalanta nuk di të ndalet në Serie A. Edhe mbrëmjen e të premtes bergamaskët bënë detyrën duke mundur 2-1 Milanin në shtëpi dhe regjistruan fitoren e 9 radhazi.
Vendasit shënuan që në fillim me De Ketelar që tundi rrjetën në minutën e 12-të. Megjithatë milanistët reaguan vetëm pak me vonë me Moratën që vendosi sërish barazpeshën.
Në fraksionin e dytë, ekipi i i Gasperinit ishte më kërkues dhe pa shumë tentativash gjeti golin me Lukman tre minuta nga fundi. Kaq mjaftoi që Atalanta të siguronte fitoren ndërsa për Milanin kjo ishte humbja e katërt në kampionat, që tani e sheh veten në vendin e 7 me 22 pikë.
Për sa i përket mbrojtësit të kombëtares shqiptare, Berat Gjimshitit u aktivizua në fushë për 76 minuta duke u vlerësuar në fund me notën 6.6.
Më herët Interi bëri detyrën teksa mundi 3-1 Parmën në San Siro. Di Marko zhbllokoi rezultatin në pjesën e parë ndërsa në të dytën Barela dhe Turam ia bënë më të thjeshtë fitoren ekipit të Inzaghit.
Autogoli i Darmian në minutën e 81-të nuk ndikoi aspak për zikaltërit që mbeten një nga pretendetet kryesor dhe këtë sezon për titullin kampion.
Aktualisht Inter mban aktualisht vendin e tretë me 31 pikë, 1 më pak se Napoli dhe tre nga Atalanta kryesuese. Napoletanët luajnë të dielën në mbrëmje përballë Lazios në shtëpi. (A2 Televizion)