
Bayern Munchen ka hedhur hapat e parë drejt transferimit të Fisnik Asllanit, pasi sipas gazetarit gjerman Florian Plettenberg, kampionët e Gjermanisë kanë zhvilluar “bisedime konkrete” me sulmuesin e TSG Hoffenheim. Klubi bavarez po kërkon një zëvendësues të besueshëm për Harry Kane, ndërkohë që Nicolas Jackson, aktualisht në huazim, pritet të rikthehet te Chelsea në fund të sezonit, shkruan A2 CNN.
Asllani është shfaqur si një opsion real për Bayern, falë formës së tij mbresëlënëse këtë edicion. Sulmuesi i përfaqësueses së Kosovës është golashënuesi më i mirë i Hoffenheim këtë sezon në Bundesliga, me pesë gola të realizuar deri tani. Paraqitjet e tij kanë tërhequr vëmendjen e shumë klubeve të mëdha europiane, duke e vendosur 23-vjeçarin në qendër të tregut të ardhshëm veror.
Një element kyç është klauzola e lirimit e sulmuesit, e cila aktivizohet vetëm në fund të sezonit. Kjo e bën largimin e tij pothuajse të sigurt, dhe klubet e interesuara kanë nisur tashmë garën për të siguruar shërbimet e tij. Bayern, që e ka ndjekur lojtarin prej kohësh, ka shkuar një hap më tej duke zhvilluar bisedime direkte me futbollistin rreth një kalimi të mundshëm në “Allianz Arena” verën e ardhshme.
Megjithatë, bavarezët nuk janë të vetmit në garë. Edhe Barcelona raportohet të jetë e interesuar për Asllanin, çka e rrit ndjeshëm konkurrencën për nënshkrimin e tij. Bayern po përpiqet të veprojë me shpejtësi për të mos humbur një objektiv që shihet si ideal për të rritur alternativat në sulm dhe për t’i ofruar Kane një mbështetje të fortë në vijën e avancuar. (A2 Televizion)
