Begaj e Duka në 100-vjetorin e Klubit Besa, kreu i FSHF-së: Së shpejti stadiumi i ri

Nga A2 CNN
26 Tetor 2025, 12:59 | Futboll

Begaj e Duka në 100-vjetorin e Klubit Besa, kreu i FSHF-së: Së

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, mori pjesë në ceremoninë e 100-vjetorit të Klubit të Futbollit “Besa” të Kavajës. Gjatë fjalës së tij Begaj vlerësoi kontributin e themeluesve të këtij klubi dhe gjeneratave të mëpasshme të sportistëve dhe trajnerëve që e ruajtën ekipin për një shekull, duke e shndërruar atë dhe futbollin në një frymë përbashkuese dhe simbol shpirtëror të qytetarëve të Kavajës.  

“Në historinë e Besës gjejmë edhe historinë e Kavajës sonë të dashur”, - u shpreh Presidenti Begaj, duke e cilësuar Kavajën si qytetin e njerëzve të besës, të besimit fetar dhe respektit ndaj besimit të tjetrit, si qytetin pishtar të demokracisë në Shqipëri dhe që futbollin e ka pjesë të identitetit të vet.

Kreu i Shtetit, gjatë fjalës së tij, përmendi emrat legjendarë të ekipit të futbollit Besa, si: Qamil Teliti, Qemal Vogli, Shefqet Topi, Agim Dizdari, Dhimitër Dimroçi, Naim Allaj, Muharrem Karriqi, Nimet Mërhori, Zenel Kashami, Bujar Pagria, Xhavit Daiu, Agron Kariqi, Besnik Dyla, Dash Bajaziti, Sotir Shkurti, Altin Raklli, Sokol Cikalleshi e  Andi Lila, e deri te më të rinjtë, Mario Dajsninani dhe Tedi Cara, që nderuan e vijojnë ta nderojnë fanellën e Besës ndër vite.  

“Vlera e madhe e Besës qëndron te shpirti i tifozërisë së saj, që e ndoqi kudo dhe vijon ta mbështesë me gjithë shpirt, siç kavajasit bëjnë kur duan dhe besojnë te një vlerë”, tha ai.  

Begaj e Duka në 100-vjetorin e Klubit Besa, kreu i FSHF-së: Së

Gjatë aktivitetit u prezantua një dokumentar kushtuar historisë së klubit, u shpërndanë certifikata nderi dhe u këndua kënga dedikuar ekipit të Besës nga Ilir Sallaku. Një moment i rëndësishëm ishte prezantimi i projektit për ndërtimin e stadiumit të ri të Kavajës, që do të realizohet falë bashkëpunimit të ngushtë mes Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Bashkisë Kavajë.

Projekti parashikon ngritjen e një impianti modern të kategorisë 4, sipas standardeve të UEFA-s, me kapacitet prej 8 mijë vendesh dhe kushte bashkëkohore për zhvillimin e ndeshjeve të çdo kategorie.

Në fjalën përshëndetëse gjatë ceremonisë së 100-vjetorit të klubit “Besa” të Kavajës, Presidenti Duka, vlerësoi historinë, traditën dhe kontributin e këtij klubi në futbollin shqiptar.

Kreu i qeverisë së futbollit shqiptar vuri në fokus projektin e stadiumit të ri, i cili tashmë është miratuar, dhe përmirësimin e infrastrukturës për akademitë e futbollit, duke garantuar kushte më të mira për fëmijët dhe komunitetin futbollistik të qytetit.

“Jam shumë i nderuar që në emër të Federatës Shqiptare të Futbollit të falënderoj Presidentin e Republikës së Shqipërisë për pjesëmarrjen sot në këtë ceremoni, por edhe për kujdesin e tij për futbollin në vend. Një falënderim shumë të veçantë Kryetarit të Bashkisë Kavajë, jo vetëm për organizimin e ceremonisë, por për mbështetjen ndaj futbollit dhe për bashkëpunimin shumë të mirë me stafin e FSHF për ndërtimin e projektit të ri të stadiumit Besa. Sot jemi për të festuar 100-vjetorin, datëlindjen e 100 të klubit futbollit Besa, të asaj që në Kavajë është paralelisht me fenë, është gjëja më e rëndësishme dhe më e dashur për qytetin. Në këtë përvjetor, unë do të doja të falënderoja ato që themeluan klubin Besa, do të doja të falënderoj të gjithë ata që kanë kontribuar, t’i shpreh mirënjohjen dhe t’i falënderoj ata që kanë kontribuar në të gjithë këto 100 vite. Është e pamundur për mua dhe për këdo mbase edhe për Fatmir Eficën, që të përmendim të gjithë ata që kontribuan në klubin e futbollit Besa dhe në rezultatet e saj", theksoi Duka.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos