Moti i keq shkakton probleme në Kukës, rënie gurësh dhe inerte në Rrugën e Kombit

Nga Ervin Mehmeti
26 Tetor 2025, 14:31 | Aktualitet

Moti i keq shkakton probleme në Kukës, rënie gurësh dhe

Qarku i Kukësit prej mëngjesit është përfshirë nga mot i keq, me reshje të dendura shiu dhe mjegull të dendur në orët e para të së dielës veçanërisht në zonat e ulëta dhe luginat. Për shkak të intensitetit të lartë të reshjeve, janë raportuar problematika në disa rrugë rurale dhe nacionale.

Sipas informacioneve paraprake, në segmentet nacionale Kukës–Qafë Mali, Kukës–Bushtricë, Kukës–Shishtavec, Kukës–Kam–Tropojë dhe Kukës–Bushtricë–Peshkopi ka prezencë uji në sipërfaqe, ndërsa në disa pjesë të rrugës janë regjistruar rënie gurësh dhe inerteve. Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit.

Edhe Rruga e Kombit ka patur pasoja e motit të keq. Segmenti Kolsh–Tuneli i Kalimashit u përfshi nga mjegull e dendur, duke e vështirësuar qarkullimin e automjeteve. Në dy pika të tjera, respektivisht në hyrje të qytetit të Kukësit dhe pranë Urës së vjetër mbi Drinin e Zi, janë shënuar rënie gurësh dhe dherash. Ekipet e Bashkisë Kukës kanë ndërhyrë për pastrimin e rrugës dhe largimin e materialeve, ndërsa segmenti hyrës në qytet u përmbyt përkohësisht nga uji.

Moti i keq shkakton probleme në Kukës, rënie gurësh dhe

Për shkak të rrëshqitjeve dhe prezencës së ujit, drejtuesit e automjeteve kanë ulur shpejtësinë për të shmangur aksidentet e mundshme. Nga ana tjetër, reshjet e fundit janë të mirëpritura për Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare  pasi pritet të ndihmojnë në rritjen e nivelit të ujit në liqenin e Fierzës, ujëmbledhësin më të madh të kaskadës së Drinit, i cili ndodhej prej javësh në nivel kritik për shkak të mungesës së reshjeve.

Kjo situatë ka nxjerrë në sipërfaqe rrënojat e Kukësit të vjetër, që zakonisht mbeten nën ujërat e liqenit. Sipas parashikimeve meteorologjike, reshjet e shiut pritet të vijojnë edhe në ditët në vijim.

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos