Droni rus godet fushën ku stërviten dy sulmuesit shqiptar në Kiev

Nga A2 CNN
23 Tetor 2025, 12:39 | Futboll

Droni rus godet fushën ku stërviten dy sulmuesit shqiptar në Kiev

Fusha stërvitore e klubit ukrainas, FC Metalist 1925, ku aktivizohen edhe dy sulmuesit shqiptar, Ermir Rashica dhe Baton Zabërgja është goditur nga një dron rus i tipit “Shahed”.

Mediat në Kiev raportojnë se rreth 120 futbollistë të rinj që ndodheshin në kompleksin stërvitor të klubit, ishin strehuar në momentin kur ndodhi sulmi dhe  nuk kanë pësuar lëndime.

Sipas raportimit të UNN, bombardimi masiv i mëngjesit nga ushtria ruse goditi infrastrukturën sportive dhe Droni “Shahed” ra mbi fushën stërvitore që klubi nga Harkivi e kishte marrë me qira në Kiev, nga Kolegji Olimpik Profesional “Ivan Piddubny”. Si pasojë, shpërtheu një zjarr, i cili më pas u shua.

FC “Metalist 1925”, FC “Polissia” dhe Kolegji Olimpik Profesional “Ivan Piddubny” kanë njoftuar se do të punojnë së bashku për të rindërtuar sa më shpejt fushën e dëmtuar.

Pavarësisht goditjes, procesi stërvitor i akademisë së FC “Metalist 1925” do të vazhdojë sipas planit. Klubi po zhvendos me shpejtësi seancat stërvitore në fusha të tjera, në mënyrë që të rinjtë të mund të vijojnë përgatitjet pa ndërprerje.

Kujtojmë se, për shkak të bombardimeve të vazhdueshme në qytetin e tyre të lindjes, Harkiv, ekipi kryesor dhe akademia e FC “Metalist 1925” janë zhvendosur në kryeqytet për të vazhduar aktivitetin e tyre sportiv. Bëhet fjalë për rreth 120 futbollistë të rinj që aktualisht jetojnë, studiojnë dhe stërviten në kryeqytet. (A2 Televizion)


A2 CNN Livestream

Latest Videos