Në qendër të Vllahinës, është organizuar "Festa e verës dhe rakisë". Ky është edicioni i dytë i panairit i cili i ka dhënë mundësinë fermerëve të zonës, të shpalosin produktet e traditës të prodhuara nga ata, teksa nuk kanë munguar as vaji i ullirit apo produktet bulmetore.
Panairi është kthyer edhe në një festë për Vllahinën dhe banorët e fshatrave përreth. Përgjatë këtij aktiviteti nuk kanë munguar performancat në këngë e valle të polifonisë labe, ku ka patur një ndërthurje brezash, me grupet e fshatrave që kanë performuar por edhe të rinjtë, nxënësit e shkollave në polifoni labe.
Për kreun e bashkisë Selenicë, kjo festë shërben për promovimin prodhimeve të fermerëve si dhe i shërben ekonomisë së zonës.
Vreshtaria është një traditë qindra vjeçare e Selenicës, por kërkohet bërë më tepër për mbështetjen e fermerit.
Ky aktivitet u përmbyllë me shpërndarjen e disa certifikatave të mirënjohjes për të gjithë fermerët, kultivuesit e verës, rakisë, por edhe vajit të ullirit që morën pjesë në këtë panair. (A2 Televizion)
