Massimiliano Allegri është trajneri i ri i Milanit. Sulmi i shpejtë nga drejtori i ri sportiv, Igli Tare, rezultoi i suksesshëm, me teknikun italian që i ka thënë ''po'' disa orë më parë ofertës së kuqezinjve.
Siç raportohet, Allegri do të firmosë një kontratë 3-vjeçare me vlerë 5 milionë euro në sezon plus 2 bonuse, shkruan A2.
Për Allegrin ky është një rikthim në Milanello, ku ai drejtoi nga vera e vitit 2010 deri në janar të vitit 2014. Tare fitoi konkurrencën me Napolin, që e kishte marrë në konsideratë në rast të largimit të Antonio Contes.
Pasi u shkarkua nga Juventusi 1 vit më parë, Allegri tani është gati të kthehet në stol dhe për të do të jetë një kthim në të kaluarën për një nga sfidat më të vështira të karrierës së tij, për të ringjallur Milanin që vjen nga një prej sezoneve më të dështuara në vitet e fundit.
Trajneri toskan merr drejtimin e ekipit nga Sergio Conceiçao dhe do të kthehet në Milanello pas 11 vitesh. Në aventurën e tij të parë me kuqezinjtë, Allegri në 178 paraqitje regjistroi 91 fitore, 49 barazime dhe 38 humbje, ndërsa fitoi një titull kampion. (A2 Televizion)