Premier league/ Arsenal thyen tabunë, mund Liverpool në Anfield

Nga Dea Kozma
2 Nëntor 2026, 13:21 | Futboll

Arsenali fiton një nga transfertat më të vështira të Premier League dhe merr kreun e kampionatit. Skuadra e Mikel Artetës triumfoi 1-0 ndaj Liverpoolit në Anfield, duke thyer një tabu që zgjaste prej 14 vitesh.

Heroi i mbrëmjes ishte Kai Havertz. Në minutën e 16-të, gjermani përfitoi nga një pasim i saktë i Declan Rice dhe dërgoi topin në rrjetë, duke heshtur stadiumin legjendar të Liverpoolit, shkruan A2.

Vendasit u përpoqën të reagonin, por fati nuk ishte në anën e tyre. Florian ëirtz goditi traversën me një goditje dënimi, ndërsa Alexis Mac Allister shpërdoroi një mundësi të artë me kokë.

Liverpooli pati edhe pretendime për një penallti pas një ndërhyrjeje ndaj Alexander Isak, por arbitri vijoi lojën.

Pjesa e dytë nuk ndryshoi asgjë në rezultat. Por shifrat e kësaj fitoreje janë edhe më domethënëse! Arsenali nuk fitonte në Anfield në kampionat që prej shtatorit të vitit 2012. Një seri prej 14 vitesh pa triumf merr fund pikërisht në këtë sezon.

Një tjetër statistikë historike: Liverpooli nuk regjistroi asnjë goditje në kuadrat, pavarësisht 17 tentativave drejt portës.

Me këtë sukses, Arsenali shkon në kuotën e 24 pikëve dhe shkëputet me tri pikë nga Manchester City, ndërsa Liverpooli mbetet në vendin e pestë, nëntë pikë larg kreut. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos