Derbi i kryeqytetit italian nuk kishte një fitues. Roma dhe Lazio e mbyllën në barazim 1-1 ndeshjen e vlefshme për javën e 32 të Serisë A në "Stadio Olimpico".
Një ndeshje e mbushur me emcoione, por në fund nuk i shërbeu asnjë prej skuadrave në luftën për një vend në zonën Champions, shkruan A2.
Skuadra e Marco Baroni e nisi më mirë sfidën, duke dominuar pjesën e parë, ndërsa Romagnoli dhe Isaksen rrezikuan portën.
Fraksioni i parë u mbyll pa gola, ndërsa të dytin bardhekaltrit shënuan që në fillim me Alessio Romagnoli që goditi saktë me kokë dhe i dha avantazhin Lazios. Megjithatë dhe kundërpërgjigjja e Romës nuk vonoi.
Në minutën e 69 ishte Matias Soule që goditi nga distanca duke shënuar një supergol.
Në minutat e mbetura, Lazio e kërkoi më shumë golin, por heroi i sfidës ishte Svilar që me reflekset e tij i mohoi golin ekipit të kaltër.
Një rezultat që zhgenjen të dyja skuadrat pasi synimi i tyre mbetet një vend në Champions. Pas javës së 32, Lazio pozicionohet në vendin e gjashtë me 56 pikë, 2 më shumë se Roma e vendit të shtatë. (A2 Televizion)