Formacioni i mundshëm, ndryshime në kampin kuqezi, Maran ka gati titullarët e  tij

Nga Dea Kozma
29 Shtator 2026, 11:38 | Futboll

Ndryshime në formacion, por jo në filozofi. Shqipëria përgatitet për transfertën ndaj San Marinos, me trajnerin Rolando Maran që pritet të bëjë disa lëvizje në 11-shen titullare, për të menaxhuar energjitë pas sfidës me Bjellorusinë dhe përballjes së radhës me Finlandën.

Në portë pritet të jetë Etrit Berisha, ndërsa në mbrojtje vjen ndryshimi më i rëndësishëm: Samuel Sina pritet të bëjë debutimin me Kombëtaren A. 19-vjeçari është një nga risitë e Maranit në këtë grumbullim dhe pritet të luajë në krahun e djathtë. Në qendër do të jenë Berat Gjimshiti dhe Ardian Ismajli, ndërsa në të majtë pritet të pozicionohet Mario Mitaj.

Në mesfushë, Kristjan Asllani pritet të ruajë vendin e titullarit, ndërsa Juljan Shehu merr vendin e Ylber Ramadanit. Ramadani dhe Stavro Pilo pritet të pushojnë, pasi ndëshkimet e marra ndaj Bjellorusisë i rrezikojnë për sfidën e ardhshme me Finlandën.

Edhe në repartin ofensiv ka ndryshime. Anis Mehmeti pritet të marrë vendin e Taulant Seferit, ndërsa Myrto Uzuni hyn në formacion në vend të Arbër Hoxhës. Në krahun tjetër mbetet Ernest Muçi, ndërsa në majë të sulmit pritet të jetë sërish Rey Manaj.

Një 11-she me rotacion, por me synimin e pandryshuar: fitoren ndaj San Marinos dhe tri pikët që Shqipëria i kërkon për të vazhduar rrugën drejt objektivit të vendit të parë në grup. Vetë Maran ka theksuar se ndryshimet mund të jenë të nevojshme për aspektin fizik, por jo për të ndryshuar fizionominë e skuadrës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos