
Franca hyn në çerekfinale si një prej favoriteve kryesore për trofeun, me pesë fitore në po aq ndeshje dhe vetëm dy gola të pësuar. "Gjelat" kanë shënuar plot 14 gola deri tani, duke konfirmuar sulmin më produktiv të turneut. Në krahun tjetër, Maroku vazhdon të shkruajë historinë, ende i pamposhtur në këtë Botëror dhe pasi ka eliminuar Holandën e Kanadanë për të mbërritur mes tetë më të mirave.
Kjo është një sfidë që rikthen kujtimet e gjysmëfinales së Botërorit 2022, kur Franca triumfoi 2-0 ndaj Marokut. Në historinë e përballjeve, francezët mbeten të pamposhtur ndaj marokenëve, me katër fitore dhe dy barazime. Për Marokun, kjo është mundësia ideale për të marrë revanshin më të madh në historinë e futbollit të tij. Edhe në merkato diferencat janë të mëdha. Skuadra franceze vlerësohet rreth 1.52 miliardë euro, ndërsa ajo e Marokut rreth 448 milionë euro, më shumë se trefish më pak. Megjithatë, Botërori ka treguar se vlera në letër nuk garanton sukses, dhe Maroku është shembulli më i mirë i kësaj.
Gjithë vëmendja do të jetë te sulmuesi francez Kylian Mbappé, i cili po zhvillon një Botëror spektakolar me shtatë gola. Në anën tjetër, kapiteni Achraf Hakimi vazhdon të jetë lideri i Marokut, ndërsa organizimi mbrojtës ka qenë arma kryesore që e ka sjellë deri në çerekfinale. Përballja mes dy ish-shokëve të skuadrës te PSG pritet të jetë një nga duelet më tërheqëse të këtij Botërori.
Franca synon të vazhdojë një seri mbresëlënëse në fazat me eliminim direkt të Kupës së Botës. "Gjelat" kanë fituar 16 nga 19 ndeshjet e fundit në Botëror dhe kanë triumfuar në gjashtë nga tetë çerekfinalet e luajtura në histori. Statistika që tregojnë përvojën e një kombëtareje të mësuar me ndeshjet e mëdha. Maroku është bërë tashmë një nga historitë më të bukura të këtij Botërori.
Pas gjysmëfinales historike në vitin 2022, afrikanët kanë provuar se suksesi nuk ishte rastësi. Me një skuadër të disiplinuar, mbrojtje solide dhe shpirt gare, ata kërkojnë të eliminojnë një tjetër superfuqi europiane dhe të vazhdojnë ëndrrën drejt gjysmëfinales. (A2 Televizion)