Luka Modric është shumë pranë Milanit. Mesfushori kroat, i lindur në vitin 1985, 39 vjeç dhe që sapo ka përshëndetur Real Madridin pas më shumë se një dekade, është gati për një aventurë të re dhe pritet të firmosë me kuqezinjtë brenda kësaj jave. Sipas “Sky Sport”, marrëveshja mund të mbyllet deri të mërkurën ose në maksimum të enjten.
Modric e ka shprehur gjithmonë admirim për Milanin dhe sidomos për legjendën Zvonimir Boban, dhe kjo ka ndikuar në vendimin e tij për të zgjedhur klubin italian, pavarësisht mungesës së pjesëmarrjes në kompeticionet evropiane, shkruan A2 CNN. Kroati vjen me parametër zero dhe nuk kërkon një kontratë të majme, por dëshiron të jetë në formë për Botërorin 2026 në SHBA, Meksikë dhe Kanada.
Ndërkohë, Theo Hernandez ka refuzuar një ofertë prej 18 milionë eurosh në vit nga Al Hilal, ndërsa Milani kishte marrë një propozim prej 30 milionë për kartonin e tij.
Tijani Reijnders është shumë pranë kalimit te Manchester City, që do të paguajë rreth 65 milionë euro. (A2 Televizion)