Inter-Barcelona për një vend në finalen e madhe të Champions League

Nga A2 CNN
6 Maj 2025, 12:44 | Futboll

Inter-Barcelona për një vend në finalen e madhe të Champions

Pas barazimit spektakolar 3-3 në Katalunjë, sot e gjithë vëmendja është në San Siro, aty ku Inter pret Barcelonën me synimin e një bilete për në finalen e Mynihut.

Trajneri Simone Inzaghi kërkon finalen e dytë në tri edicionet e fundit edhe pse përballë Barcelonës, detyra është e vështirë. Lajmi i mirë është rikuperimi i Lautaro Martinez, i cili pritet ta nisë që nga minuta e parë së bashku me Thuram që është rikthyer në formën e tij më të mirë, shkruan A2.

I vetmi që mungon është Pavard, që do të zëvendësohet nga Bisseck. Në anën tjetër, katalanasit shpresojnë te treshja Yamal–Raphinha-Ferran Torres. Mungesa të sigurta do të jenë Kounde, Balde dhe Ter Stegen, ndërsa Lewandowski është në dyshim. Objektivi i Barcelonës mbetet “Tripleta” që i mungon katalanasve prej 10 vitesh. Spanjollët janë në garë për tre trofetë, në La Liga kryesojnë 4 pikë më shumë se Reali, bënë për vete Kupën e Mbretit dhe tani janë vetëm një hap larg finales në Champions League.

Simone Inzaghi, trajneri i Interit, deklaroi: “E dimë rëndësinë e kësaj ndeshjeje. Do të na duhet një lojë e shkëlqyer kundër një skuadre shumë të fortë, të cilën e kemi parë nga afër dhe i dimë cilësitë. Do të na duhet një Inter i vëmendshëm dhe me mendje të kthjellët. Grupi beson në vetvete, e dëshiron dhe mezi pret këtë ndeshje”.

Ndërsa Hansi Flick, trajneri i Barcelonës, theksoi: “Kur e nisëm sezonin, askush nuk e kishte idenë se çfarë do të arrinim. Ne kemi fituar tashmë dy trofe këtë sezon. Të gjithë lojtarët janë përmirësuar me kalimin e ndeshjeve. Tani jemi në gjysmëfinalet e Ligës së Kampionëve dhe duhet ta shijojmë këtë, të shijojmë të luajmë me njëri-tjetrin dhe t'u tregojmë të gjithëve sa të mirë jemi”.

Supersfida Inter-Barcelona do të luhet sot në mbrëmje, në orën 21:00. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos