Sali Berisha u paraqit në SPAK mëngjesin e së hënës, në orën 09:00, për masën detyrim paraqitjeje lidhur me çështjen “Partizani”, shkruan A2.
Pas daljes nga SPAK-u, kreu i Partisë Demokratike publikoi vendimin e Gjykatës së Janinës, që, sipas tij, tregon se gjyqtarja Irena Gjoka është e dënuar me burg për falsifikim: “Edi Rama kërkon të shndërrojë Kushtetutën në "Duman Kushtetutë”. Njeriu që kryeson gjykatën speciale të shqiptarëve ishte një delinkuente e pafytyrë, e pamoral, e pakarakter, e dënuar me burg në vendet fqinj. Ajo përdorej si skllave nga Edi Rama dhe regjimi aktual. Kjo monstër, në vend që të vuajë dënimet, është lartësuar në kryetaren e Gjykatës Speciale nga Edi Rama, Taulant Balla dhe është keqpërdorur nga Altin Dumani. Nga viti 2005, kur u dënua, dënim që e ka fshehur, bën të pavlefshëm çdo vendim të saj, në përputhje me vendimet e Gjykatës së Strasburgut. Dokumenti nga Gjykata e Janinës në Greqi tregon që ajo është dënuar me 3 muaj burg dhe gjobë 1500 euro”.
“Është dënuar për falsifikim nga kolegj penal dhe jo administrativ. Është turpi i turpit të Ulsi Manjës, këtij ministri. Kjo vesh togën e zezë të kryegjykatëses së Tiranës për të mbuluar falsifikimet e saj", shtoi Sali Berisha. (A2 Televizion)