Interi ëndërron tripletën, mposht Bayernin në “Allianz Arena”

Nga A2 CNN
8 Prill 2025, 23:13 | Futboll

Interi ëndërron tripletën, mposht Bayernin në “Allianz

Interi ka marrë një fitore të artë në “Allianz Arena”, duke mposhtur Bayern Munich me rezultatin 2-1 në ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Davide Frattesi shënoi golin vendimtar në minutën e 88-të, duke i dhënë zikaltrëve një avantazh të rëndësishëm për sfidën e kthimit në “San Siro” dhe duke i dhënë fund serisë prej 22 ndeshjesh pa humbje të bavarezëve në shtëpi në këtë kompeticion.

Pavarësisht mungesave të shumta, Bayerni nisi vrullshëm dhe rrezikoi herët me Michael Olise, ndërsa Harry Kane goditi shtyllën në një rast ideal pas një pasimi nga Olise. Interi u përpoq të hynte në lojë, por mbrojtja e Bayernit ishte e vështirë për t’u depërtuar.

Megjithatë, kundër ecurisë së lojës, Interi gjeti golin në fundin e pjesës së parë. Carlos Augusto asistoi nga e majta për Marcus Thuram, i cili pasoi për Lautaro Martínez, dhe kapiteni argjentinas realizoi bukur me të jashtmen drejt këndit të sipërm të portës.

Martínez rrezikoi sërish në pjesën e dytë, por Bayerni reagoi dhe e gjeti barazimin me Thomas Müller në minutën e 82-të pas një asisti nga Konrad Laimer. Gjithsesi, festa e bavarezëve zgjati pak, pasi një kundërsulm brilant i Interit u konkretizua nga Frattesi, që përfitoi nga një pasim i Augusto për të vulosur fitoren.

Bayerni është tani përballë një sfide të vështirë historike, pasi nuk ka përmbysur kurrë një humbje në shtëpi në fazën me eliminim direkt të Ligës së Kampionëve. Ndërkohë, Interi ëndërron një tjetër tripletë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos