Juventusi shkatërroi Al Ain në debutimin e tij në Kupën e Botës për Klube.
Bardhezinjtë dominuan ndeshjen e zhvilluar në Uashington dhe fituan 5-0 falë dy golave nga Kolo Muani, dy nga Conceiçao dhe një gol nga Kenan Yildiz, shkruan A2.
Trajneri i Juventusit, Igor Tudor mund të jetë më shumë se i kënaqur: të gjitha zgjedhjet e tij dhanë rezultate. Nga Savona si mbrojtës i linjës me 3, deri te tre sulmuesit që secili prej tyre gjeti golin.
Para ndeshjes, trajneri kroat kishte kërkuar një qasje agresive dhe djemtë e tij iu përgjigjën: në fund të pjesës së parë ndeshja ishte mbyllur.
Për më tepër, më në fund u pa një Juventus me një ide të saktë për futbollin: zhvillim i lojës me shumë lojtarë, kombinime në hapësira të ngushta, mbrojtës krahu që shoqërojnë sulmin për të krijuar superioritet dhe lojtarët pas sulmuesve gjithnjë e më shumë protagonistë. (A2 Televizion)